Prishtinë, 22.09.2023 – Ministria e Ekonomisë sot ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa të financuara nga Bashkimi Evropian (BE).
Masat e prezantuara sot nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, synojnë mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje e të cilat përfshijnë:
Pompë termike;
Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë);
Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket);
Stufa individuale me biomasë.
Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është tridhjetë përqind (30%) e vlerës investive, apo deri në 2000.00 €.
Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është dyzet përqind (40%) e vlerës investive, apo deri në 400.00 €. Për prindërit vetushqyes gjashtëdhjetë përqind (60%) e vlerës investive dhe deri në 550.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet gjashtëdhjetë përqind (60%) e vlerës investive dhe deri në 550.00 €.
Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 1200.00 €.
Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 435.00 €. Për prindërit vetushqyes nëntëdhjetë përqind (90%) e vlerës investive dhe deri në 560.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet nëntëdhjetë përqind (90%) e vlerës investive dhe deri në 560.00 €
Pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes nuk do të subvencionohen.
Afati për aplikim është gjashtëdhjetë (60) ditë kalendarike, nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 22 nëntor 2023.
Ata qe kanë qenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente të thirrjes publike Nr.02/2022, më datë 06.10.2022, ose thirrjes publike Nr. 03/2022, më datë 18.11.2022, nuk kanë të drejtë aplikimi për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të kësaj thirrje.
Aplikimi për subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://ekosova.rks-gov.net/472
Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/09/Thirrje-publike-Investimi-ne-pajisje-ngrohese-eficiente.pdf
Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth fazave të aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën: info.subvencionet@rks-gov.net
Apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00.